Wednesday, February 4, 2026
Lajme

Gëzuar 2026!

Disa orë para ndërrimit të moteve, Gjakova   po bëhet gati të hyjë në natën më të gëzuar të vitit, e stolisur dhe e ndriçuar me drita vezulluese që i kanë dhënë qytetit një pamje festive. Kolonat e gjata të veturave në  rrugë dhe tollovitë në qendrat tregtare, para bankomateve,  mishtoreve e tjera,  kur bashkëqytetarët bëhen gati për një mbrëmje festive. Furnizohen për një tryezë të begat. Këto janë karakteristikat e ditës se fundit ne vitin e vjetër.  Qendra e qytetit është bërë pika më atraktive e kësaj feste. Në fakt, atmosfera festive e pritjes së vitit të ri, në komunën e Gjakovës ka filluar të ndjehet  ditë më parë, ndërsa do të kulmoi sonte kur akrepat e orës bashkohen në mesnatë dhe paralajmërojnë ardhjen e Vitit të ri 2026. Tradicionalisht gjakovarët natën e ndërrimit të moteve  e kalojnë në ambientet familjare.

Sonte të gjithë, së paku në këtë mbrëmje festive, do ti harrojmë problemet, vështirësitë dhe hallet e shumta me të cilat u ballafaquam gjatë këtij viti, për të  festuar të gëzuar dhe të lumtur në natën e ndërrimit të moteve, me urimet dhe dëshirat për një vit sa më të mbarë dhe më të suksesshëm.

Viti që po e lëmë pas në kujtesën tonë do të mbetet si vit i  katër palë zgjedhjeve  me realizimin e disa projekteve madhore në fushën e infrastrukturës dhe  furnizimit me ujë të pijes  por edhe sfidave të shumta,  sidomos në aspektin e zhvillimit ekonomik, punësimit dhe uljes së varfërisë.

Sa  takon punësimit në Qendrën e Punësimit në Gjakovë,  numri I personave të cilët  kërkojnë punë  ka arritur  në 3 mijë e 236, Brengosëse është e dhëna se prej numrit të përgjithshëm të papunëve pjesa më e madhe përkatësisht  1 mijë e 48  sosh I takojnë moshës prej 40 deri në 54 vjet, që nënkupton se bëhet fjalë për persona familjarë.

Sa i përket Investimeve  kryesore  në fillim të këtij viti  komuna  ka ndarë edhe 5.7 milion euro për rinovimin e rrugës transite rreth 2 kilometra e cila edhe tash po punohet. Kjo rrugë do të shndërrohet në bulevard ndërsa rolin e kësaj do ta merr rruga e re qarkore kah Rezinat. Komuna e Gjakovës ka vazhduar me projektin e ndërtimit të shtretërve te lumenjve Krena dhe Llukaci. Segmenti nga Ura e Taliqit deri afër Spitalit të Gjakovës do të përfshijë ndërtimin e kolektorëve modernë, trotuare të reja, ndriçim publik, si dhe ura për këmbësorë. Me një vlerë totale investimi prej 1 milion e 498 mije euro, ky projekt përbën një nga ndërhyrjet më të mëdha të qeverisjes lokale dhe pritet të jetë një aset afatgjatë në shërbim të qytetarëve për shumë breza.

Komuna e Gjakoves përmes Drejtorisë përkatëse te Shendetesise,  ka mbet edhe kete vit e përkushtuar në zhvillimin e shërbimeve cilësore shëndetësore dhe përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së jetës së qytetarëve. Në Komunën e Gjakovës, Drejtoria komunale për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, gjatë vitit 2025 në total  disponoi me shumën në lartësi prej mbi 5 milion euro. Gadi në tërësi, kjo shumë iu dedikua Shërbimeve Shëndetësore për qytetaret.

Në vitin shkollor 2024-2025 në Komunën e Gjakovës janë 479 nxënës më pak se në vitin paraprak shkollor, kjo si pasojë e largimit të familjeve përkatësisht nxënësve nga Komuna e Gjakovës. Aktualisht numri i nxënësve në Çerdhe të Fëmijëve në Gjakovë është 672, në klasët, nga e para në të nëntën 9 mijë e 752 nxënës, ndërkaq nga klasa e dhjetë deri në atë dymbëdhjetë gjithësejt 3 mijë e 24 nxënës.  Dukuria zvogëlimit të numrit të  nxënësve mbetet shqetësuese edhe këtë vit.

Kur flasim për Kulturën në vitin 2025 atë e karakterizojnë dy veprimtari jo vetëm kulturore, por edhe me karakter të gjerë, organizuar nga Fondacioni për Gjakovën, “Ditët e shqiptarit” gjate verës, dhe “Ditët e Nëntorit” ku në Gjakovë ishin artist te njohur të skenës ndërkombëtare sic ishte Ermonela Jaho dhe Asamble nga gjitha trojet shqiptare. Gjakova për disa ditë u shndërrua në kryeqendër të Kulturës shqiptare. Janë realizuar shumë koncerte, Festivali I këngës për fëmijë Lyra fest, Radio fest pastaj ekspozita e kështu me radhë.

Në sport,  emblema e qytetit mbetet  Vellaznimi. Në futboll po bëhet përpjekje që Vëllaznimi në kampionatin e ardhshëm ta bëjë “sefte” stadiumin e ri me gara në superligë, ndërsa në basketboll Vëllaznimi edhe këtë vit ka qenë shkaktar I spektakleve sportive që janë organizuar ne Pallatin e sporteve Shani Nushi.

Në fund, mbetet të shpresohet se viti i ardhshëm do të sjell në radhë të parë shëndet, më shumë rezultate pune dhe jetësim të projekteve kapitale që e bëjnë jetën e qytetarit më të mirë.  Redaksia Gjakovapress  iu uron të gjithë lexuesve,  gëzuar e me fat Viti ri 2026!